Kurti – simpatizantëve në shesh: Po na e bëni dimrin verë e politikën pranverë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti iu është drejtuar simpatizantëve që kishin dalë në sheshin “Zahir Pajaziti” për të festuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Derisa tha se më 9 shkurt ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, ai theksoi se në zgjedhjet e 28 dhjetorit “ka fituar populli dhe Republika”.
Siç tha ai, vizioni dhe punët e mira të kryera në mandatin e deritashëm ishin arsyeja kryesore e këtij rezultati.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit të Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë, me 49,79 për qind të votave.
E me këtë rezultat, Kurti u tha simpatizantëve që kishin dalë për të festuar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje me partnerë, se po e bëjnë “dimrin verë e politikën pranverë”.
“Ne nuk lëshojmë pe, jo për inat të dikujt por për shkak se gjithë juve ju duam fort. Të nderuar të pranishëm, temperaturën e brendshme e kam afër 39 gradë, por po duket se edhe përjashta është njësoj. Ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe që na keni qëndruar pranë. Me LVV-në, me partinë Guxo, me partinë Alternativa dhe me PShDK, e keni një koalicion, një subjekt politik në të cilin mund të llogarisni gjithherë. Dhe, mbi të gjitha, ju faleminderit që sonte, dhe jo vetëm sonte, po na e bëni dimrin verë e politikën pranverë. Të gjitha premtimet tona do t’i përmbushim. Na qëndroni pranë që t’ju qëndrojmë edhe më pranë, dhe Kosova të ecë përpara si Republikë, si popull si shoqëri, në ekonomi, arsim e kulturë, në mbrojtje, siguri e qëndrueshmëri”, tha ai.
